Të shohësh në Tiranë
Rifreskimi i fundit: 2009-07-22    Printo

Kala

 

Kalaja e Petrelës, 12 km në lindje të Tiranës, përgjatë SH3 Tiranë – Elbasan, daton në shekullin e katërt para Krishtit. Kjo kala u rindërtua në shekullin e XIII nga Topiajt duke marrë pamjen aktuale dhe më vonë kaloi në pronësi të Kastriotëve. Gjendet në zonën më piktoreske të Tiranës, ku një numër ndërtesash të reja mundohen të marrin formën e saj. Edhe pse në një shpatinë të rrëpirë vlen të vizitohet, jo vetëm për vlerat historike, por edhe për panoramën e mrekullueshme dhe ajrin e pastër.

Kalaja e Prezës me origjinë romake ndodhet në majë të një kodre afër aeroportit dhe afër rrugës SH2 Tiranë-Durrës dhe SH32 Vorë – Fushë Krujë. Barleti e përmend si ndërtesë e Parthianëve dhe më pas e Kastriotëve. Bie në sy për kullën e sahatit që dominon të gjithë zonën përreth. Ne perëndim të fshatit Prezë ndodhet një zonë shumë tërheqëse me dy liqene në luginat e saj. Bukuria natyrore e qetësia e bëjnë këtë zonë një vend ideal për turizëm natyror: për kajak, not, zhytje, peshkim dhe ngjitje.

Mozaiku i Tiranës është ndër të vetmit monumente arkeologjike brenda territorit të qytetit të Tiranës. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Arkeologët mendojnë se ky mozaik i përket një vile fshatare, gjë e cila u përforcua gjatë gërmimeve të viteve 2003 – 2004, ku u gjetën vaskat e fermentimit të rrushit, si dhe pjesë të tjera muresh.

Kalaja e Tiranës gjendet në qendër të qytetit në rrugën "Murat Toptani" dhe është një nga pikat më tërheqëse që ka Tirana, kjo për muret e lashta të një kalaje ndoshta të kohës romake, për ndërtesën tipike qytetare shqiptare të fillimit të shekullit të kaluar apo për lokalet moderne të ndërtuara në të. Është pranë Teatrit Kombëtar, Galerisë së Arteve dhe Kinema Millennium.

 

Trashëgimi

 

Kulla e sahatit, ngjitur me Xhaminë e Et’hem Beut, e cila i jep edhe autenticitetin qendrës së Tiranës, simboli i qytetit e nisur kjo në vitin 1821 nga Haxhi Et’hem bej dhe e përfunduar me ndihmën e familjeve aristokrate të Tiranës. Sahati i kësaj kulle u instalua nga familja Tufina. Në 1928 kulla u rindërtua dhe u ngrit në lartësinë e 35 metrave, duke ndërruar edhe orën me një orë të re gjermane. Gjatë luftës u dëmtua, por u rindërtua përsëri në korrik të 1946-ës. Është vendi i duhur për një foto kujtim nga Tirana, por mos i zini besë akrepave të orës. Sahati i Kullës së Sahatit ka kohë që nuk punon. 

Ura e Tabakëve që daton në fillimin e shekullit të 20-të është një urë monumentale poshtë së cilës nuk kalon më ujë, por që të mahnit me bukurinë e saj të thjeshtë. Gjendet në bulevardin "Gjergj Fishta", përballë Paralmetit.

 

Kult

 

Xhamia e Et'hem Beut u fillua nga Molla beu në vitin 1789 dhe u mbarua nga i biri Haxhi Et'hem Beu, stërnip i Sulejman Pashës (monumenti në sheshin "Sulejman Pasha"), themeluesit të Tiranës. Muret e kësaj xhamie janë jashtëzakonisht të bukura ashti si dhe minareja, ndërsa ezani që këndohet pesë herë në ditë i jep sheshit një ngjyrë shumë ekzotike.

Në lindje të Tiranës, në fund të "Ali Demit", te Poligrafiku gjendet Kryegjyshata Botërore e Bektashijve (1925). Ndërtesa është e re, por ka kopshtije të mrekullueshme. Ndërkohë që po punohet për ngritjen e Teqesë së re me një kupolë madhështore edhe Teqeja aktuale është interesante, me tre gjysmëkupolat e saj jeshile me të bardhë. Edhe kopshti i kryegjyshatës është një oaz në lagjen popullore të "Ali Demit".

Kisha Katolike e Shën Palit (2001) gjendet në bulevardin "Gjergj Fishta", përballë Piramidës. Është aktualisht kisha më e madhe në Tiranë dhe arkitektura e saj moderne bën përshtypje. Edhe ambijentet e e brendshme të kësaj kishe janë të një veçantie që të bën përshtypje.

Kisha Ortodokse e Shën Prokopit (1780) gjendet në rrugën e Kavajës. Është kisha kryesore Ortodokse deri në mbarim të kishës së re në rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit". Kisha i ka rezistuar kohës dhe ruan ende tiparet karakteristike të një kishe ortodokse.

Në rrugën e Kavajës gjenden edhe Xhamia e Dine Hoxhes dhe kisha katolike e Shën Marisë e ndërtuar në vitin 1865 nga perandori Franz Josef i Austrisë.

Tyrbja e Kapllan Hysës në Sheshin e Ushtarit të Panjohur është ndërtuar në vitin 1816 dhe është një nga monumentet e rralla të këtij lloji në shqipëri. Aktualisht sipër saj po ndërtohet një qiellgërvishtës që ka përfshirë në arkitekturën e tij edhe këtë xhevahir të kulturës sonë.

Në Kodrat e Liqenit gjendet kisha ortodokse e Shën Gjergjit, një kishë e vogël në mes të gjelbërimit të liqenit. Nësë vizitoni parkun është mëkat të mos ndaleni pakëz në këtë kishë, ndoshta për të ndezur një qiri...

Teqeja Halvetiane gjendet në qendër të qytetit në sheshin "Sulejman Pasha" dhe është një ndërtesë tipike e bektashinjve, e ndërtuar e re në truallin që dikur i përkiste.

 

Arkitekturë

 

Sheshi "Skënderbej", qendra e Tiranës dhe qendra e të gjithë Shqipërisë. Në këtë shesh gjenden edhe monumentet e rëndësishme si Monumenti i Skënderbeut, Flamuri Kombëtar, Muzeu Kombëtar, Teatri i Operas dhe Baletit, Biblioteka Kombëtare, Banka e Shtetit si dhe Xhamia e Et’hem Beut e Sahati. Ka shume diskutime rreth këtij sheshi, ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka në projekt të rindërtojë sheshin duke e kthyer në një zonë pa trafik makinash. Aktualisht në një gjendje jo të mirë, por sidoqoftë madhështor.

Në Pallatin e Kulturës në Sheshin "Skënderbej" (1963, me tullën e parë të vendosur nga presidenti Nikita Hrushov në 1959) gjenden Biblioteka Kombëtare e themeluar në vitin 1922 me mbi 5000 volume, Teatri i Operas dhe Baletit, një librari nga më të furnizuarat në Tiranë si dhe nje numër kafesh të ndryshme apo banka. Ndërtesa është tipike e arkitekturës sovjetike me një pamje te mrekullueshme mbi sheshin Skenderbej. Kjo ndërtesë ngrihet në vendin ku më parë ishte Pazari i Tiranës.

Monument i Skënderbeut, (1968), është një vepër e Odhise Paskalit në bashkëpunim me Andrea Manën dhe Janaq Paço. Është pararendës i monumenteve të Skënderbeut në shume kryeqytete të botës i ndërtuar me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit.

Monumenti i Nënës Shqipëri (1971) është një statujë e bardhe 12 metra e lartë ndërtuar te Varrezat e Dëshmorëve në Sauk. Vihet re veçanërisht natën duke qenë në një kodër e dukshme nga një pjesë e mire e qytetit.

Ndërtesa e Akademisë së Shkencave (1972) gjendet në Sheshin Fan Noli dhe ka qene streha e parë e Parlamentit shqiptar.

Galeria e Arteve (1976) gjendet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Është një ndërtesë me një arkitekturë të veçantë e cila ka në ambjentet e saj rreth 3200 punë nga artistë shqiptarë dhe të huaj.

Piramida, ose Qendra Ndërkombëtare e Kulturës (QNK) Arbnori, (1988) u ndërtua si memorial, ose tyrbe e Enver Hoxhes, nën mbikqyrjen e të bijës Pranvera dhe burrit të saj Klement Kolaneci. Aktualisht është në rindërtim që e ka kthyer në një qendër të pavizitueshme. Në sallonin e kësaj qendre bëhën panairet më të mëdha të Tiranës.

Muzeu Historik Kombëtar (1981) është ndërtesa që bie më shumë në sy në Sheshin Skendërbej me mozaikun e tij “Shqiptarët”. Ambjentet e tij kanë një larmi sektorësh që fillojnë nga kohët më të hershme deri në ditët tona. Në sallat e Muzeut mbahen konferenca të ndryshme si dhe evente të jetës kulturore të Tiranës.

Pallati i Brigadave (1930) në kodrat e Liqenit në rrugën e Elbasanit u ndërtua nga Mbreti Zog si residencë e tij dhe u përdor më pas si pallat presidencial, tashmë residencë e Lekës së Parë.

Teatri i Kukullave gjendet në sheshin Skëndërbej dhe ka qenë selia e parë e parlamentit shqiptar në 1924. Gjatë regjimit komunist ai u shendërrua në Teatër Kukullash, ndoshta si një alegori me funksionin e saj të mëparshëm.  

Bulevardi Dëshmorët e Kombit (1930) si dhe bulevardi Zogu I janë projekt i arkitektëve  Florestano de Fausto dhe Armando Brasini, të cilët kanë projektuar edhe Pallatin e Brigadave, ish bashkinë dhe ndërtesat qeveritare. Në bulevardin Dëshmorët e Kombit gjenden ndërtesat qeveritare të ndryshme duke nisur me Bashkinë dhe ministrinë e Bujqësisë, dhe ndërtesa të tjera moderne si Piramida, Kullat Binjake apo Pallati i Kongreseve. Ndërkohë që në këtë bulevard janë edhe Galeria e Arteve, Parku Rinia dhe Presidenca si dhe hoteli Rogner.

Bulevardi Zogu I (1930) I cili gjatë komunizmit quhej bulevardi Stalin, nis me hotel Tirana, i njohur si pesëmbëdhjetëkatëshi dhe mbaron të stacioni i trenit, por ka strukturë ndryshe nga bulevardi Dëshmorët e Kombit. Ndërtesa interesante në këtë bulevard janë Ministria e Drejtësisë, Fakulteti I Shkencave egzakte dhe qiellgërvishtëset te stacioni i trenit.  

Bulevardet Gjergj Fishta, Bajram Curri dhe Zhan d’Ark shtrihen përgjatë brigjeve të Lanës dhe ia vlejnë një shëtitje. Arkitekturë të vëçantë në këto bulvarde kanë Shallvaret, Taivani, Ministria e Jashtme, BKT, katedralja e Shen Palit, ETC, Xhamia e Tabakëve, etj.

 

Natyrë

 

Në Pëllumbas, në malësinë e Krrabës 22 km në lindje të Tiranës gjendet një shpellë e cila mendohet se mban gjurmët më të lashta të jetës në këto anë. Shpella ka gjurmë të kohës së neolitit, eneoliti deri në ditët tona. Shpella hapet me një një korridor të gjatë rreth 70 metra që vazhdon me një sallon të lartë 15-20 metra ku ndizej zjarr, gatuhej dhe latoheshin veglat e para të punës. Kjo shpellë e zbuluar pak vjet më parë quhet Shpella e Pëllumbasit dhe është njëra nga 6 shpellat e mëdha karstike të Europës.

Parku kombëtar i Malit të Dajtit (1966) qëndron si kurorë përmbi qytet duke arritur në 1613 metra lartësi me bzën në 300 metra nga niveli i detit. Në këtë mal ka mbi 26 lloje drurësh dhe shkurresh pyjore, të cilat mbulojnë rreth 80 % të territorit. Në Dajt ka një seri lehtësirash për turizmin dhe është instaluar një teleferik që niset nga Kinostudio dhe për pak minuat të ngjit atje ku shihet një panoramë marramendëse. Ndërkohë që në dajt mund të ngjiteni edhe me makinë.